Bie rezoluta në Strasburg dhe Zvërneci. Përplasja mes PS dhe PD në seancën e së mërkurës, u pasqyrua dhe në votimin përfundimtar për Shqipërinë në Strasburg.
Opozita propozoi 35 amendamente që u rrezuan prej mazhorancës së Tiranës.
“7 vota pro 7 vota kundër rezoluta nuk miratohet”.
Taulant Balla nuk nguroi të ironizonte opozitën për votën e dhënë kundër duke bllokuar dokumentin me rekomandimet përfundimtare.
“Do të kishte qenë mirë të na kishin thënë që nuk do të kishin votuar në fund. Faleminderit të gjithëve ishte një përpjekje e mirë për të votuar rekomandimet përfundimtare, por nuk u arrit”.
Në rikthimin e diskutimeve Balla e sheh veprimin e deputetëve të selisë blu si qëndrim politik. Ndërsa protesta në Tiranë u vu në qendër të vëmendjes së diskutimeve. Eurodeputetja Kristina Guarda solli në vëmendje situatën në Zvërnec duke paraqitur foto si ka qenë dhe si ishte kur realizuan mision faktmbledhës.
“Ministri ka konfirmuar se nuk ka asnjë leje ndërtimi dhe se kjo ka ndodhur për situatën parapërgatitore. Ndërkohë që në Evropë nëse nuk ka leje për testim të kërkuar ne kemi aplikime për hapjen e rrugëve mbledhjen e të dhënave. Pra nuk është e nevojshme rrethimi, mjetet e rënda apo tharjen e ligatinave. Bllokimi ka ndodhur pas protestave. Përgjigja që morëm është se ne nuk jemi pjesë e BE”.
Përgjigjen e mori nga Taulant Balla i cili kujtoi ndalimin e ndërtimeve në parkun e Vjosës. Ai e cilësoi kundërshtimin e projektit në Zvërnec dhe aeroportin e Vlorës si të nxitur nga shtetet konkurrente në turizëm.
“Por aty ka qenë një aeroport i ndërtuar më herët nga italianët. Ne na nevojitet një aeroport në jug dhe kjo nuk ka të bëjë me çështjet mjedisore, por me konkurrencën. Dhe e dimë se përse kundërshtohet. Shpresojmë vitin tjetër të fluturojmë nga Vlora në Strasburg. Dhe do të propozoja të vinit në Vlorë dhe të vini për të bërë një mision faktmmbledhës. Jo për të bërë politikë, jo për të marrë like dhe jo për të shpërndarë lajme në rrjetet sociale duke përdorur Shqipërinë. Në 2014 realizuam moratoriumin për gjuetinë, duke ruajtur flamingot”.
Në të kundërt me të, përfaqësuesit e opozitës kërkuan anulimin e ligjeve që prekin zonat e mbrojtura dhe jo vetëm.












