Sali Berisha ka vendosur të mos i bindet vendimit të gjykatës për masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Sipas juristëve dhe bazës ligjore në fuqi, shkelja e urdhrit të gjykatës, mund të pasohet me një masë më të rëndë sigurie si “arresti në shtëpi”, për të cilën kërkohet autorizim nga parlamenti, ose me vijimin e masës aktuale duke e hetuar Sali Berishën në mungesë.
“Report TV” u konsultua me juristë dhe me bazën ligjore në fuqi nga ku rezulton se ish-kryeministri mund të përballet me masë më të rëndë nëse refuzon të zbatojë vendimin e gjykatës për “detyrimin për tu paraqitur” në SPAK, para oficeres së policisë gjyqësore Adelajda Metaj.
Data e parë kur Berisha duhet të shkojë aty, sipas vendimit të gjykatës, është ora 10.00 e datës 6 nëtor 2023. Në këtë kohë oficerja mban proces-verbal ku shënon se Sali Berisha nuk është paraqitur.
Që nga ky moment, prokurorit i lind e drejta të veprojë me zëvendësimin e masës “detyrim paraqitje e ndalim dalje jashtë shtetit” me një masë tjetër më të rëndë. Megjithatë para këtij veprimi, mund të përsëritet edhe njëherë njoftimi për Sali Berishën se duhet të paraqitet në kohën e përcaktuar nga vendimi i gjykatës.
Prokuroret mund të kërkojnë një masë tjetër sigurie, më të rëndë se ajo që nuk po ekzekutohet, “arrest shtëpie” ose “arrest me burg”, por për të dyja këto, duhet të kërkohet autorizim nga Parlamenti. Për masën “arrest në burg”, ka një pengesë ligjore që lidhet me moshën e Sali Berishës mbi 70 vjeç. Ndërkohë masa arrest shtëpie, nuk ka kufizim moshe.
Në këtë rast, SPAK dhe GJKKO i kërkojnë parlamentit, krahas heqjes së imunitetit edhe autorizim për shoqërim të detyrueshëm të Berishës me policë, pasi nuk ka zbatuar masën e parë. Nëse parlamenti e miraton kërkesën, ekzekutimi i masës bëhet nga policia që e shoqëron Sali Berishën në banesë dhe vendos një trupë shërbimi për tu kujdesur për zbatimin e “arrestit në shtëpi”.












