Tërmeti që ndodhi dje në administratën shtetërore preku drejtoritë e përgjithshme në të gjithë institucionet. Nga pasditja e djeshme në orën 17.00 asnjë nga drejtorët e përgjithshëm nuk është në detyrë, me kërkesat e dorëheqjes se firmosur nga vetë ata.
Ministria e Brendshme, është një ndër institucionet e prekura. Përveç drejtorit të përgjithshëm të policisë Skënder Hita, që është emërim i kryeministrit, gjithë kupola drejtuese e shtetit është larguar nga detyra, duke shkaktuar ndërkohë jo vetëm habi, por edhe pasiguri në administratë.
Nuk ka pasur influence deputetësh, askush s’ka mundur të bëjë telefonatë ndaj askujt për të ruajtur emrat e strukturës.
Në listën e dorëheqjeve, është drejtoresha e përgjithshme e pyjeve Rudina Hoxha, e cila ishte emëruar vetëm në qershorin 2026. Kërkesa për largim, nuk e ka kursyer as atë. Edhe drejtuesja e Agjencisë Kombëtare të mjedisit Marjeta Përlala ka dhënë dorëheqen.
Në protokollin e ministrisë së brendshme, janë paraqitur po ashtu dorëheqjet e kryeinspektorit Afrim Qendro, që më parë ka mbajtur detyrën e prefektit të Tiranës; por edhe drejtuesit të Agjencisë së Mbikqyrjes policore Klevis Qose, i cili nuk kishte shumë kohë që kishte marrë detyrën kur ndodhi rrokada me ish drejtorin e përgjithshëm të burgjeve Adriatik Kupi.
Risena Xhaja, vajza që ka mbajtur pozicionin e kryeadministratores së pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara po ashtu ka dhënë dorëheqjen ditën e djeshme. Në listë është përfshirë edhe drejtori I përgjithshëm i gjendjes civile Spiro Maliqi.
Listës nuk i ka shpëtuar as Valdrin Pjetri, në krye të agjencisë së trajtimit të pronave, një drejtues që e mori detyrën në qershorin e këtij viti.
Lista e drejtuesve të lartë në administratë që janë larguar nga detyra është e gjatë. Tani, një tjetër process do të fillojë nga qeveria për përzgjedhjen në detyra të larta të drejtuesve të rinj.












