Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni ka mbërritur në Shqipëri, ku ka zbritur në aeroportin e Rinasit.
Meloni është pritur në aeroport nga zv.kyeministrja Belinda Balluku. Sipas agjendës Meloni do të shkojë direkt në Lezhë, ku do të vizitojë kampet e emigrantëve në Gjadër dhe në Shëngjin.
Gjatë vizitës në Shqipëri Meloni shoqërohet nga Ministri i Brendshëm i cili është përgjegjës për menaxhimin e flukseve emigratore.
Kryeministrja italiane do të niset me helikopter shtetëror drejt Gjadrit, ku më pas do i bashkohet edhe kryeministri Edi Rama, me të cilin do të mbajnë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp.
Me qëllim mbarëvajtjen e vizitës zyrtare të Melonit në Shqipëri, Policia dhe Garda kanë hartuar një plan masash. Në disa akse të vendit do të ketë kufizim të qarkullimit të mjeteve.












