Shqipëria mbylli aventurën në “Euro2024” dhe tashmë zyrtarisht është fundi i kontratës së trajnerit Sylvinho. Ky i fundit ende nuk ka rinovuar për 2 vite të tjera, edhe pse Federata Shqiptare e Futbollit ia ka ofruar këtë mundësi në tavolinë.
Sylvinho është nën orbitën e disa ekipeve, ndërsa burime mediatike bëjnë me dije se është ekipi portugez Estoril Praia skuadra që po negocion për të bindur trajnerin brazilian.
Në orët në vijim pritet të ketë një përgjigje përfundimtare nëse transferimi do të kryhet apo jo, por ka gjasa që tekniku të gjejë gjuhë ne përbashkët edhe me FSHF-në.
Burime nga liga portugeze bëjnë me dije se negociatat mes palëve janë zhvilluar, por nuk konfirmohet nëse është arritur akord paraprak apo jo, por eliminimi i kuqezinjve nga evropiani, ka sjellë menjëherë shkarkimin e trajnerit të Estoril Praia, 40-vjeçarit Vasco Seabra. Këto lëvizje shtojnë edhe më tepër dyshimet se Sylvinho në ditët në vijim do t’i bashkohet “kanarinave”.












