Është përshkallëzuar në orët e mbrëmjes protesta e të rinjve në Tiranë. Përplasje të forta po zhvillohen mes protestuesve dhe forcave të policisë, nga Ura mbi Lanë deri te Ministria e Brendshme ku terreni i ngjan një fushë-beteje.
Gjatë mbrëmjes janë fikur dritat në bulevard, ndërsa protestuesit kanë hedhur fishekzjarrë dhe molotovë në drejtim të efektivëve, ndersa gjithcka është shkaterruar. Disa prej protestuesve kanë shkulur pllakat e gurit nga trotuaret për t’i përdorur në përplasjet me policinë.
Situata është tensionuar edhe më tej pas zjarrit që përfshiu një kioskë të mbyllur pranë lulishtes së “Vëllezërve Frashëri”. Flakët janë përhapur edhe te pemët përreth, ndërsa tymi ka mbuluar zonën e bulevardit.
Përplasjet rifilluan me breshëri fishekzjarrësh dhe përdorimin e gazit lotsjellës nga policia, ndërsa protestuesit janë shpërndarë në disa segmente të kryeqytetit.












