Meteorologia Lajda Porja thotë se moti i paqëndrueshëm do të na shoqërojë gjatë kësaj javë, me vranësira dhe reshje shiu, në disa zona edhe me rrebeshe.
Duke filluar nga e marta, edhe temperaturat do të pësojnë ulje, ku maksimalet do të arrijnë në 26-27 gradë.
“Nga sot futemi zyrtarisht në vjeshtë. Parashikohet situatë problematike sot dhe gjatë natës dhe nesër deri në mesditë, ku moti do të jetë i paqëndrueshëm. Do të kemi vranësira, rrebeshe shiu, stuhi të forta ere dhe breshër në zona të izoluara. Problematike situata do të paraqitet në dsia qarqe, ku Shkodra, Lezha, Laçi, Kruja, Tirana dhe Elbasani do të marrin reshje me intensitet të lartë. Moti parashikohet i paqëndrueshëm pothuajse përgjatë gjithë javës. Edhe pse e mërkura dhe e enjtja do të kenë reshje më të pakta, e premtja do të ketë fuqizim të vranësirave dhe sjellë shira me intensitet mesatar dhe lokalisht intensiv, duke i shtuar problematikën edhe zonave jugperëndimore, ku Vlora, Saranda, Gjirokastra dhe Përmeti, Tepelena do të kenë reshje në sasi të konsiderueshme. Naa e marta deri të premten do të përjetojmë temperatura tipike të vjeshtës, ku maksimalet do të jenë jo më shumë se 27 gradë”, tha Porja.












