Sali Berisha ka deklaruar se nuk e njeh vendimin e Gjykatës që i ka caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe i ka bllokuar pasaportën që mos largohet jashtë shtetit.
Në një intervistë për ‘Euronews Albania’, Berisha deklaroi se nuk mund të bëjë asnjë veprim që bie ndesh me Kushtetutën.
“Unë nuk mund të pranoj kurrë shkelmim të Kushtetutës. Sali Berisha në vitin 2012 ka dërguar në Parlament amandamentet kushtetuese për heqjen e çdo lloj kufizimi të veprimit të organeve të drejtësisë përballë deputetit, çdo lloj kufizimi. Sepse kam dashur që në Kushtetutë të jenë të gjithë të barabartë para saj. Unë do shkoj në seancë gjyqësore dhe kudo, por jo në shkelje të Kushtetutës. Po u ndoq procedura çfarë mendon ti se do i kërkoj unë mëshirë mazhorancës së partisë së krimit? Kurrë! Po ata kanë frikë ta mbledhin parlamentin. Ata kanë frikë sepse e dinë që kanë zero fakte, zero argumente dhe nuk duan që unë t’ju bëj gjyqin publikisht. Nëse parlamenti voton për heqjen e imunitetit do ta pranoj pa diskutim“, tha Berisha.












