Tërmetet e njëpasnjëshme në Santorini i kanë bërë banorët qe ta kalojnë natën edhe jashtë teksa autoritetet janë vendosur në shërbim të qytetarëve për të lehtësuar largimin nga zona.
Ndonëse panorama mund të na kujtojë tërmetin e vitit 2019 në Shqipëri, nuk ka vend për panik. Sizmiologu Edmond Dushi shpjegon në TV Klan se tërmetet në Santorini nuk rrezikojnë drejtpërdrejt Shqipërinë.
Pyetje: Duke qenë afër me Greqinë dhe duke kujtuar historinë tonë, sa e rrezikuar është Shqipëria?
Edmond Dushi: “Në mënyrë të drejtpërdrejtë nuk është e rrezikuar nga Santorini, por gjithë aktiviteti që ndodh përreth nesh është tregues që pllakat lëvizin dhe ne jemi në këto pllaka, në këto kufij. Ideja është që ne çdo ditë në territorin e Shqipërisë kemi aktivitet sizmik, që do të thotë edhe ne jemi pjesë e këtij sistemi. Ka disa zona që kanë qenë aktive kohë te fundit, ka qenë zona jonike, pjesa poshtë, ka qenë pjesa mbi Durrës pra pjesa adriatike, ka një pjesë mbi Elbasan që ka aktivitet sizmik në kufi me Dibrën, ka pasur pak në zonën e Ohrit dhe Korçës, ka pasur tërmete sporadike në gjithë territorin e Shqipërisë”