Deputeti socialist Erion Braçe ka denoncuar në rrjetet sociale çmimet e larta të produkteve në një kohë kur kursi i këmbimit me të cilin disa supermarkete llogarisin euron dhe dollarin tregon që euro dhe dollari kanë rënë ndjeshëm, ndërsa leku është forcuar.
Sipas deputetit socialist, kjo jo vetëm që nuk përkthehet në uljen e çmimeve të fruta-perimeve dhe produkteve ushqimore, të cilat vijojnë të jenë të larta, por nxjerr në pah abuzimin dhe mungesën e mbështetjes dhe një industri ushqimore që ai e cilëson ‘thuajse inekzistente’.
Sa i përket abuzimeve me kursin e këmbimit, Braçe thotë se supermarketet, dyqanet dhe stacionet e karburanteve nuk janë të legjitimuara të këmbejnë monedha të huaja, por kanë detyrimin të tregtojnë në lekë.
“Ajo që të lë pa mend është fakti që ndërkohë që leku forcohet, euro e dollari bie, në këto dyqane edhe më shumë se tregu, çmimet e produkteve të importit jo vetëm janë të larta, por janë të qëndrueshme të larta”, shkruan ai, krahas një videoje.












