“Një marre ndërkombëtare”, kështu ka thënë nga Michigani kryeministri Edi Rama sa i përket vendimit të dhënë ditë më parë nga Gjykata Speciale, e cila dënoi me 81 vite burg në total katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë takimit me komunitetin shqiptar Rama tha se ky vendim absurd i dhënë nga Specialia nuk është dhënë në “emrin e popullit”, ashtu si dhe u tha gjatë shqiptimit nga gjyqtari dhe se ligjvënësit në Kosovë do të marrin vendimet e duhura për të mos “varrosur të gjallë” ish-krerët e UÇK-së.
“Jo vendimin e Gjykatës, por vetë vdekjen në heshtje e pranon vetëm ai që vdes. Problemi në këtë rast është jo mosrespektimi i gjykatës, por problemi është si ta refuzosh varrosjen për së gjalli të katër njerëzve në emër të popullit kur vetëm populli nuk e gjen veten në atë vendim të dhënë jo vetëm në gjuhë të huaj, por edhe në një huajësim të vetë drejtësisë. Natyrisht që Shqipëria në këtë mes nuk mund të bëjë asgjë më shumë veçse t’i rrijë në krah Kosovës, por sidoqoftë të popullit të zgjedhur të saj do të refuzojnë varrosjen për së gjalli të atyre katër burrave”, tha Rama, teksa më tej dha gjithashtu një lajm të mirë edhe për komunitetin e Shqiptarëve të ciëlt jetojnë dhe punojnë prej vitesh në Michigan.
Kryeministri tha se shumë shpejt do të hapet konsullata e Shqipërisë në Detroit, një kërkesë e përsëritur prej kohësh nga komuniteti shqiptar atje.
“Të dashur miq, nga ana tjetër dua t’ju jap një lajm që besoj se është lajm i mirë për ju, sepse kam dëgjuar në mënyrë të përsëritur një kërkesë nga ky komunitet dhe Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme së shpejti do të hapë konsulatën shqiptare në Detroit. Dhe besoj që është vendim i duhur dhe i merituar. Siç po bëja shaka, ju arritët ta bëni këtë qytet amerikan një fshat të madh shqiptar.”, tha Rama.











