Kryeministri Edi Rama ka thyer heshtjen për lajmet e raportuara nga mediat në Shqipëri, për thirrjen në SPAK të ministres dhe zëvendëses së tij, Belinda Balluku.
Nga Gjermania, Rama thotë se drejtësia do bëjë punën e saj dhe qeveria e tij punën e vet.
“Si i komentoni rastet e fundit lidhur me zonjën Balluku? Në gjitha mediat e kam lexuar që ka një thirrje për bisedë, apo ku e di unë se ç’është”, është pyetja që gazetari shqiptar Bahri Cani i ka drejtuar kryeministrit Edi Rama në Berlin.
Ashtu siç ka deklaruar dhe më herët në raste të tjera, kryeministri Edi Rama është shprehur se ai nuk i komenton vendimet e drejtësisë dhe të gjithë personat e përmendur, deri në një vendim të formës së prerë janë të pafajshëm.
“Nuk kam asnjë koment për asnjë rast sepse siç e kam thënë, ne kemi punën tonë, drejtësia ka punën e vet dhe deri kur çështje të caktuara marrin formën e tyre të prerë të gjithë njerëzit janë të pafajshëm dhe janë të padënueshëm nga gjykata popullore e politikës dhe mediave që i shërbejnë politikës”, thotë Edi Rama.












