Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë paraditen e kësaj të diele një video të historianit dhe autorit izraelit Yuval Noah Harari, të cilin e përshkruan si një nga mendjet më largpamëse të botës së sotme, duke sjellë në vëmendje një prej kritikave të tij ndaj mënyrës se si funksionojnë algoritmet e rrjeteve sociale dhe ndikimit që ato kanë mbi sjelljen, emocionet dhe debatin publik.
Në videon e publikuar nga Rama, Harari ndalet te mënyra se si platformat si Facebook, X dhe TikTok janë të orientuara kryesisht drejt rritjes së angazhimit të përdoruesve, çka sipas tij nuk përkon domosdoshmërisht me promovimin e informacionit më të saktë apo me krijimin e një hapësire të shëndetshme për komunikim dhe debat.
Sipas Hararit, përmes eksperimenteve të vazhdueshme mbi sjelljen e miliona përdoruesve, algoritmet kanë identifikuar se përmbajtjet që zgjojnë emocionet më të forta janë edhe ato që kanë më shumë gjasa t’i mbajnë njerëzit përpara ekranit, duke favorizuar kështu frikën, zemërimin, urrejtjen, lakminë dhe konfliktin si elementë që gjenerojnë më shumë reagime, shpërndarje dhe ndërveprim.
Kjo mënyrë funksionimi në këndvështrimin e tij, ka krijuar një realitet ku përdoruesit ekspozohen vazhdimisht ndaj një niveli të lartë stimulimi emocional, ndërsa përmbajtjet më të qeta, më të balancuara apo më pak konfliktuale kanë më pak gjasa të tërheqin të njëjtën vëmendje.
“Nëse diçka kërcënon jetën tënde, menjëherë je i angazhuar, dhe kështu ata e kanë përmbytur botën. Me urrejtje, frikë, zemërim dhe lakmi. Sot jetojmë në një botë hiper të angazhuar. ‘Angazhimi është kushëri i afërt me një fjalë tjetër që sot është bërë shumë dominuese që është ‘eksitimi’ që në thelb do të thotë që sistemi yt nervor është vazhdimisht në një nivel shumë të lartë aktivizimi“, thotë ai ndër të tjera.












