6 muaj më parë kryetarët e 3 bashkive Mat, Tepelenë e Berat dhanë dorëheqjet për t’u bërë deputet.
Më 12 mars qeveria njoftoi KQZ-në se Agron Malaj, Tërmet Peçi dhe Ervin Demo ishin larguar. Që nga ajo kohë, bashkitë drejtohen nga një nënkryetar i përzgjedhur përkohësisht nga Këshilli Bashkiak përkatës.
Por pse nuk po mbahen zgjedhje në këto 3 bashki?
Ligji parashikon se data e zgjedhjeve të parakohshme, apo të pjesshme caktohet nga Presidenti i Republikës, vetëm pasi ky i fundit, të ketë marrë njoftim zyrtar nga qeveria për vakancat.
Aktualisht, Bajram Begaj nuk ka asnjë njoftim nga Edi Rama se Mati, Tepelena e Berati janë pa kryetar, edhe pse ky është një fakt i njohur botërisht.
Burime pranë qeverise, thanë se kryeministria është shumë afër këtij momenti, tashmë që KQZ mbaroi punë me 11 Majin dhe deputetët e rinj po shkojnë drejt betimit.
Ditën që kryeministri Edi Rama njofton kreun e shtetit Begaj, ky i fundit, brenda 48 orësh, cakton datën e zgjedhjeve, e cila nuk duhet të jetë më herët se 30 ditë, dhe jo më larg se 45 ditë.












