Punonjësit e administratës, qoftë në nivel qendror apo vendor, për herë të parë do të përfitojnë nga indeksimi i pagës me 2.5%.
Kryeministri Edi Rama shpjegoi edhe se si do të jetë rritja për secilën kategori, ndërsa theksoi se krahas indeksimit, nga muaji janar paga minimale në vend do të rritet nga 40 mijë lekë të rinj në 50 mijë lekë të rinj.
“10,600 punonjës shërbimi do të përfitojnë nga rritja e pagës minimale me 10 mijë lekë të reja në muaj. Specialistët e administratës publike 5 mijë lekë të reja në muaj. Mësuesit 3 mijë lekë në muaj“, tha Rama.
Rama tha se rritje si pasojë e kësaj skeme të re, pra reflektimit që sjell rritja e pagës minimale dhe indeksimi i përvitshëm, do të përfitojnë edhe bluzat e bardha. Sektor për të cilin, bashkë me policinë, do t’u llogaritet edhe vjetërsia në punë.
“Për herë të parë në sektorin e shëndetësisë, përveç indeksimit vjetor, do të fillojë dhe llogaritja e vjetërsisë në punë. Si mesatare për mjekët e përgjithshëm, nga 131 700 lekë në 143 500 lekë të reja në muaj. Për mjekët në spitale nga 174 mijë lekë në 186 mijë lekë të të reja në muaj. Për infermierët nga 87 mijë lekë në 92 500 lekë në muaj. Po ashtu dhe për punonjësit e policisë, përveç indeksimit do të ketë rritje për vjetërsinë në punë. Për gradat më të ulëta përkthehet në rritje mesatare me 5 mijë lek të reja në muaj. Për një punonjës me vjetërsi mesatare 15 vite, sipas gradave, për inspektorët e thjeshtë nga 80500 në 84500 lekë të reja plus shtesa që e çon pagën mesatarisht në 100 mijë lekë të reja. Për nënkomisarët nga 95500 në 101 mijë lekë të reja, plus shtesa shkon në 116 mijë lekë të reja. Për komisarët nga 105 000 mijë në 110 600 mijë shkon në 125 600 lekë të reja”, tha Rama.












