Mbetet në fuqi masa e sigurisë “Detyrim Paraqitje” për Sali Berishes dhe bllokimi i pasaportës që e ndalon ish-kryeministrin të dalë jashtë territorit të Shqipërisë në kuadër të hetimeve për privatizimin e ish-klub “Partizanit”.
Sipas vendimit të GJKKO, Sali Berisha detyrohet që të paraqitet 2 herë në muaj në BKH. Sipas vendimit të Gjykatës Berisha duhet të shkojë në zyrat e Byrosë Kombëtare të Hetimit perkatesisht në datat 6 dhe 20 nëntor.
Në njoftim e GJKKO theksohet: “Urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha, të paraqitet të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 10:00 para oficerit të policisë gjyqësore Adelajda Metaj, pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar“.
Dy avokatët e caktuar nga GJKKO për të mbrojtur Berishën nuk kanë pranuar të marrin përsipër mbrojtjen e ish-kryeministrit. Ndërkohë Gjykata ka caktuar një avokate tjetër për Berishën. Burime bëjnë me dije se do të jetë Valentina Teodoresku, si avokate kryesisht.












