Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka firmosur disa ndryshime në radhët drejtuese të Policisë së Korçës.
Më konkretisht, Ardrit Elmazi me detyrë zëvendës drejtor i krimeve në këtë drejtori, është emëruar në Kukës në postin e drejtorit të kufirit. Në vend të tij është emëruar Lorenc Meta, i cili mbante më herët postin e zëvendës drejtorit të policisë Elbasan.
Në Maliq është komanduar shef komisariati Arjan Boçi, i cili ka patur detyrën e shefit të krimeve në këtë komisariat, pasi Fabiol Qose u emërua asistent i drejtorit të DVP Korçë, pasi drejtoi këtë komisariat për një periudhë prej 2 vite e gjysmë.
Lëvizje ka patur edhe në seksionin e drogës, ku shef u emërua komisar Sefedin Balliu, ndërsa shef i krimeve të rënda u emërua kryekomisar Asllan Zhivanaj. Pas marrjes së gradave, pritet që të ketë edhe lëvizje të tjera në këtë drejtori si edhe në komisariate e në sektorë të ndryshëm të Policisë.












