Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar një takim me deputetët dhe ish-deputetët e Tiranës pasditen e së mërkurës, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e parakohshme të kryebashkiakut të Tiranës, pas shkarkimit të Erion Veliajt.
“Dua të besoj që të gjithë deputetët, ata që janë aktualë, ata që ishin dhe mbeten për mua pjesë e skuadrës sonë të 11 majit, por dhe të gjithë ata të tjerët që banojnë në Bashkinë e Tiranës, do të mobilizohen që të përfshihen drejtpërdrejt duke marrë pjesën e tyre të përgjegjësisë në shpatulla“, tha Rama.
Rama gjithashtu u shpreh i bindur se patronazhistët e PS-së janë të gatshëm të reagojnë ndaj çdo sfide që mund të dalë përpara tyre, duke u angazhuar për të siguruar fitoren në zgjedhjet e ardhshme.
“Sigurisht që duke mos pasur asnjë dyshim për këtë, nuk kam asnjë dyshim që patronazhistët mezi presin të hakmerren ndaj përqeshjeve të radhës, me një reagim të duhur që do të pasqyrohet me rezultatin e ditës së zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës” tha Rama.












