Ministri i Brendshëm Taulant Balla ditën e sotme u ka bërë thirrje strukturave të Policisë që të parandalojnë çdo ngjarje dhune gjatë ndeshjes së do të zhvillohet nesër në stadiumin “Air Albania” mes Shqipërisë dhe Polonisë.
Në një takim me strukturat policore Balla tha se duhet një tjetër nivel sigurie në stadiume jo vetëm në ndeshjet ndërkombëtare por edhe kombëtare.
“Policia e Shtetit të parandalojmë çdo ngjarje dhune në kryeqytet. Gjithçka lidhet me imazhin e Shqipërisë. Na duhet një nivel tjetër sigurie në stadiume, jo vetëm në evenimentet sportive ndërkombëtare, por edhe në garat kombëtare. Policia e Shtetit të mos lejojë asnjë shfaqje huliganizmi gjatë ndeshjes Shqipëri-Poloni.
Gjithkush që vjen në stadium, me mendjen për të shkulur stolat e stadiumit dhe për t’i hedhur ato në fushë, apo për të shkaktuar akte të tjera huliganizmi dhe këtu me FSHF duhet të jemi shumë të qartë, për të marrë masa drastike. Të evidentohen personat me precedent huliganizmi, në të dy tifozëritë edhe në atë shqiptare edhe në atë polake“, tha Balla.












