Deputetja e larguar nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, Marjana Koçeku ka ndarë një videomesazh për të gjithë ndjekësit dhe qytetarët, në ditën e nisjes së sesionit të ri parlamentar, duke njoftuar se edhe ajo vetë është zyrtarisht e pavarur.
Ajo paralajmëron se rikthimi në punë i deputetëve do të ketë plot dinamika e ngjarje të reja, të ndikuara nga aktualiteti politik, por edhe nga protesta qytetare që vazhdon prej më shumë se 100 ditësh.
Vota e saj në Kuvend nuk do të shkojë në krah të opozitës por do të jetë deputete e pavarur pavarësisht se mandatin e fitoi nga votat socialiste.
“Kjo është dita e parë e sesionit të parë parlamentar dhe njëkohësisht është dita ime e parë si deputete e pavarur. Padyshim që ky sesion i ri parlamentar ka për të qenë me plot dinamika, veçanërisht prej ndodhive politike muajt e fundit dhe protestës qytetare të vazhdueshme në rrugët e vendit tonë. Kjo është një gjë e mirë sepse tregon se qytetarët po zgjohen dhe më në fund demokracia po bëhet aktive. Kjo tregon se ne kemi kujt t’i shërbejmë. Zëri i qytetarëve jashtë Parlamentit, duhet me ardh edhe më i fortë në Parlament, jo me u tentu me u hesht, me u zvogëlu, apo me u shmang, por me u përfaqësu me shumë përgjegjësi“, shprehet deputetja Marjana Koçeku.












