Pas raportimeve për përplasje në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar të PS-së, këtë të martë ka folur edhe kreu i kësaj force, kryeministri Edi Rama.
Gjatë një takimi me asamblenë socialiste të Njësisë 7 në Tiranë, Rama nuk i mohoi debatet, por nga ana tjetër kritikoi mënyrën si u pasqyruan në media, duke i cilësuar si të ekzagjeruara.
”Ishte spektakolare, e pabesueshme edhe për mua që besoj që nuk ka më çfarë më surprizon, që ne mblidhemi në një mbledhje të zgjeruar të grupit parlamentar me qeverinë, që e bëjmë çdo fund muaji për të diskutuar tema specifike, për të dëgjuar qeveria deputetët dhe anasjelltas, i kushtojmë orë të tëra çështjes së pronave, shërbimit të kadastrës, ecurisë së reformës në kadastër. Pastaj flasim për reformën administrative territoriale, ku prezantohet analiza e të dhënave demografike dhe financiare, si dhe skenarët përkatës. Më pas trajtojmë edhe temat e komunikimit dhe të fushatës brenda partisë. Fillojmë në orën 11 dhe dalim në orën 6 dhe mediat kombëtare raportojnë për publikun ‘çfarë i tha Edi Rama njërës e çfarë i tha tjetrit’. Natyrisht që shqetësimi nuk është ky. Njerëzit kanë votuar dhe duan të dinë gjëra të tjera”,-tha Rama.












