Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone të ashpra ndaj një prej socialistëve në sallë, pasi vuri re se ai po qeshte gjatë fjalimit të tij.
“Po qesh dikush aty? Kanë ardhur kohë të këqija”, u shpreh Rama.
“Kush mendon që do e shtyjë sa ta shtyjë, do të hajë një të shtyrë që në fund do t’i lutet Zotit kur do bjerë në fund. Nuk shtyhet më kështu. Provimi nuk është vetëm një ekran, por sistem”, tha kreu i qeverise.
Kryeministri Edi Rama ka dhënë një mesazh “kërcënues” për deputetët në mbledhjen e tij me grupin parlamentar socialist. Rama u shpreh se do të propozojë që çdo ndërhyrje e një deputeti në telefon për të futur një njeri në punë të konsiderohet vepër penale.
“Unë do propozoj që çdo ndërhyrje e një deputeti në telefon për të futur një njeri në punë të konsiderohet vepër penale. Do e propozoj këtë, do u shoh të gjithëve në sy dhe do u kërkoj që ta votoni. Çdo mesazh i dërguar, që fut këtë në punë dhe shikoje pak atë, të konsiderohet vepër penale. Kjo, sepse një deputet që e bën këtë nuk është i denjë, pasi po bën padrejtësi mbi ata qytetarë, që nuk janë pjesë e rrethit të tij, që nuk janë pjesë e familjes së tij, që nuk janë pjesë e rrënjëve të tarafit të tij dhe që nuk janë shokë fëmijërie të tij. Nuk mundet që të shikojnë fëmijët e tyre duke i rritur me mijëra halle, të mësojnë fort dhe në fund shohin që fëmijët e tyre parakalohen vetëm nga mesazhet e deputetit. Vepër penale”, deklaroi Rama.












