Qeveria ka miratuar shpronësimin për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga projekti i rikualifikimit të hyrjes së qytetit të Shkodrës dhe bregut perëndimor të liqenit.
Sipas vendimit, pronarët do të kompensohen me një vlerë totale prej mbi 402 milionë lekësh, e cila do të përballohet nga buxheti i shtetit.
Shpronësimi do të nisë menjëherë pas botimit të vendimit në “Fletoren Zyrtare” dhe duhet të përfundojë brenda tre muajve. Pronarët do të marrin kompensimin pasi të paraqesin dokumentacionin e nevojshëm pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
Ky projekt i financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit synon transformimin e zonës në një hapësirë moderne dhe rekreative. Plani përfshin krijimin e një parku prej 17-18 hektarësh me mjedise sportive, shëtitore për këmbësorë dhe biçikleta, pika panoramike dhe hapësira për aktivitete kulturore. Gjithashtu, do të ndërtohen fusha të reja sportive dhe një mol i ri, i cili do të lidhet me mole të tjera në Shirokë dhe Zogaj.












