Për herë të parë në histori, Qeveria Rama ka miratuar vendimin për “kreditë studentore”. Pas mbledhjes së qeverise, Ministrja e Arsimit Evis Kushi theksoi se kredia do t’u jepet studentëve që nuk përfitojnë dot bursë.
Kushi theksoi se kjo kredi do të financojë vetëm një program studimi, bachelor apo master. Kushi shtoi se kredia do të jepet me dy këste dhe do të përllogarisë tarifën e universitetit si dhe një shumë parash që shkon ekuivalent me pagën minimale.
“Ne ndër vite kemi ndërmarrë shumë vendime, dhe sot vijmë me kredinë studentore. Çdo student që ndjek studimet në një universitet ka të drejtë të aplikojë për kredi studentore për të financuar studimet e tij, edhe tarifat edhe kostot e jetesës, duke përllogaritur kufirin e pagës minimale. Do të financohet vetëm një program studimi, pra mund të aplikojë ose për bachelor ose për master, dhe institucion përgjegjës do të jetë AKFAL. Kredia do të jetë pa kolateral, jepet me dy këste. Studentë do jenë ata që nuk kanë përfituar bursa apo përjashtim nga tarifa”, tha Kushi.












