Kryeministri Edi Rama prej dy ditësh ndodhet në një vizitë zyrtare në Itali për të cilën thotë se është shteti që ofron mbështetje maksimale për integrimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Rama shprehu falenderim për angazhimin e qeverisë aktuale italiane në të gjitha çështjet, duke e cilësuar Italinë si “avokat” dhe zërin më të fortë në Bruksel për Shqipërinë.
“Qeveria italiane po shfrytëzon potencialet e jashtëzakonshme në të gjitha fushat mes Italisë e Shqipërisë. Nuk ndodh gjithmonë që të shkosh në një vend tjetër me një delegacion kaq të madh dhe të mos kesh nevojë për kufje. Jo vetëm që italishtja është gjuha e dytë e shqiptarëve, por edhe gjuha politike është e njëjta. Ne kemi plotësisht të njëjtat qëndrime mbi të gjitha çështjet dhe na kënaq që Italia është ‘avokati ynë’ më i besuar në nivelin europian dhe zëri më i fortë e i dëgjuar në Bruksel për të mbështetur Shqipërinë në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian. Na kënaq shumë që kjo qeveri ka një angazhim të veçantë për të kaluar nga shumë premtime në fakte konkrete në fushën e ekonomisë, në politikat e përbashkëta”, tha Rama.