Kryeministri Edi Rama duket se ka nisur një tur takimesh me socialistët, në kuadër të Asamblesë së zgjeruar, ndërkohë që në fillim të muajit dhjetor pritet të mbahet kongresi ku do të zgjidhet Sekretariati i kësaj partie.
Rama e ka nisur turin e takimeve nga Fieri, nga ku u shpreh se takime të tilla nuk i shërbejnë vetëm organizimit të partisë, por edhe situatës që kalon vendi.
“Nisëm këtë cikël takimesh për t’i paraprirë Kongresit të partisë në fillim të dhjetorit, qoftë për të diskutuar çështje që lidhen me nevojën e organizimit të partisë, çka e kemi bërë gjithmonë pas çdo fitoreje dhe çka do ta bëjmë përsëri duke marrë në konsideratë të gjitha gjërat që s’kanë shkuar si duhet dhe nevojën që të jemi 3 hapa para gjithë kundërshtarëve, qoftë dhe për të diskutuar për situatën aktuale të vendit, në aspektin ekonomik, por dhe të tjera”, tha Rama.












