Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me deputetët dhe ish-deputetët e Tiranës pasditen e së mërkurës, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e parakohshme në bashkine e kryeqytetit.
Kryeministri komentoi reagimet që kanë shpërthyer pas shkarkimit të zëvendësi të Ministrisë së Brendshme, Andi Mahila për shkak të përdorimit të cigares në një lokal të mbyllur, duke e cilësuar si të papranueshme çdo përpjekje për të përqeshur këtë veprim.
“U bë një llomotitje e madhe nga ata që iu ka rënë Diella në kokë, që duhet të presim të marrin veten, por që të marrin veten duhet të përballojnë fëmijët e Diellës, të cilët e përgjuan shkarkimin që ministrja e Brendshme i bëri zëvendësit për tymosjen e cigares në një lokal të mbyllur. Të mos e përshëndesim këtë akt dhe të mos kërkojmë që ky akt të jetë normë, të jetë parimi i palëkundur i atyre që qeverisin, por të bësh hajgare me këtë, do të thotë që të jesh një bisht cigareje i mbetur më kot në taketuken e jetës demokratike, që askush nuk ka ndërmend ta ndezë më, por dhe askush mos t’i shkojë në mendje që ta vlerësojë për riciklim”, tha Rama.












