Edi Rama thotë se ngjarja e sotme në veri të Kosovës, ku një polic u vra është ‘kambana më e madhe e alarmit’.
Kryeministri i bën thirrje Bashkimit Europian dhe SHBA që me forcën imponuese të ulë në një tryezë dialogu Kosovën dhe Serbinë. Rama thotë se kriminelet e këtij sulmi duhet të dalin sa më parë para drejtësisë.
“Tragjedia e humbjes së jetës së efektivit të Policisë së Kosovës është këmbana më e madhe e alarmit deri më sot për rrezikun e vazhdueshëm të eskalimit të krizës së zgjatur në një konflikt të armatosur. Duhet të dalin përpara drejtësisë kriminelët që i morën jetën një njeriu të pafajshëm, i cili shërbente nën uniformën e policise se Kosoves. Thirrja e një konference të jashtëzakonshme paqeje, nën mbikqyrjen e garancinë e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, e njëkohësisht marrja e të gjitha masave të jashtëzakonshme me KFOR-in, për moslejimin e eskalimit të situatës, janë një domosdoshmëri jo vetëm për rendin e sigurinë në Kosovë sot, po edhe për paqen e të ardhmen e rajonit nesër, përpara sesa kriza e zgjatur në Veriun e Kosovës të dalë jashtë kontrollit e të kthehet në një zjarr destabilizues për krejt rajonin”, shkruan Rama.












