Ka hyrë në fuqi bonus malus, ose thënë ndryshe sistem i cili rregullon nivelin e primit të sigurimit të automjetit, bazuar në historikun e dëmeve të të siguruarit. Ndëshkim apo shpërblim kjo do të jetë rregullorja për të gjithë përdoruesit e automjeteve nga viti 2025.
Artur Ribaj, ish-drejtor në departamentin e mbikëqyrjes pranë AMF shpjegon sesi do të veprohet në vitin e parë të zbatimit.
“Me koeficientin një flasim për vitin 0 të dëmeve. Do të regjistrohen dëmet nga janari 2025 dhe më pas nga janari 2026 do fillohet të shihet nëse do jetë bonus apo malus problematika e shkaktimit të dëmeve nga të siguruarit”, tha ai.
Rregullorja përmban dhe disa faktorë risku përtej dëmeve që do regjistrohen. Të tilla si fuqia motorike, mosha e shoferit, eksperienca e tij në drejtimin e makinës, përdorimi i mjetit, qarku i regjistrimit të mjetit si dhe vjetërsia e makinës. Moshat e reja, eksperienca e ulët apo makina e vjetër konsiderohen të gjithë rreziqe që shtrenjtojnë siguracionin.
Sistemi “bonus malus” – nga latinishtja, shpërble ose ndëshko ku nëpërmjet këtij sistemi synohet që të rritet përgjegjshmëria e drejtuesve të mjeteve.












