Këtë të martë pritet të mbahet seanca gjyqësore për Sali Berishën pasi SPAK i caktoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, lidhur me çështjen “Partizani”.
Por çfarë ndodh nëse Berisha nuk merr pjesë në seancë?
Nëse Berisha nuk paraqitet sot në gjykatë, seanca mund të zhvillohet në mungesë të tij, edhe nëse nuk shkon vullnetarisht. Kjo pasi pritet të caktohet një avokat falas nga shteti i cili do ta përfaqësojë.
Lidhur me procesin ndaj Berishës, në emisionin Shqip në “DritareTV”, Kreshnik Spahiu tha se nëse Sali Berisha nuk paraqitet në Prokurori për t’u marrë në pyetje, ligjërisht institucioni i drejtësisë duhet t’ia ashpërsojë masën, nga “detyrim paraqitjeje”, në “arrest shtëpie”.
“Berisha nuk po e pranon këtë masë, refuzoi të bashkëpunojë në një procedim penal normal, nuk shkoi për t’u marrë në pyetje, as nuk pranoi të takojë oficerët e policisë gjyqësore që do t’i konfirmonin vendimin. Nëse i pandehuri nuk e pranon dhënien e pasaportës dhe nuk pranon detyrimin për t’u paraqitur në prokurori, atëherë ligji e detyron prokurorinë që të paraqesë në gjykatën speciale një kërkesë për masë me të ashër që në këtë rast është arresti në shtëpi. Nëse Berisha nuk paraqitet në prokurori, ligjërisht duhet t’i ndryshohet masa”, tha Spahiu.












