Shpëtim Idrizi i ka kërkuar Presidentit Bajram Begaj, të mbledhë me urgjencë Këshillin e Sigurisë, në mënyrë që reagimet e Shqipërisë të jenë të koordinuara dhe në mbështetje të shtetit të Kosovës.
Kjo, pas ngjarjeje tronditëse në veriun e Kosovës, ku rreth 30 terroristë serbë janë futur në territor, duke lënë të vrarë një polic dhe duke plagosur një tjetër anëtar të Policisë së Kosovës.
“Ngjarjet e ditës së sotme në veri të Kosovës po trondisin gjithë opinionin shqiptar. I bëjmë thirrje të gjitha institucioneve të shtetit shqiptar, të jenë në kontakt dhe në mbështetje të shtetit të Kosovës. Presidenti i Republikës duhet të kërkojë urgjentisht mbledhjen e Këshillit të Sigurisë dhe reagimet të jenë të koordinuara e në mbështetje të shtetit të Kosovës. Përshkallëzimi i dhunës është strategji e Serbisë në dëm të Kosovës dhe sigurisë në rajon“, shkruan Idrizi.
Kryeministri Edi Rama i bën thirrje BE dhe SHBA që me forcën imponuese të ulë në një tryezë dialogu Kosovën dhe Serbinë. Rama thotë se kriminelet e këtij sulmi duhet të dalin para drejtësisë.












