Zjarri në pyllin e Pishporos në Fier dhe në Darëzezë ka marrë përmasa të mëdha. Në terren ka zbritur edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili ka njoftuar se është kërkuar ndihmë nga Emergjencat Civile të BE.
Ai ka theksuar se në orët në vijim do të ketë përforcime të mjeteve zjarrfikëse. Gjithashtu Balla ka pohuar se do të investohet për hapjen e korridoreve në masivet pyjore.
“Ka disa vatra zjarri. Dua të ndaj me ju vendimin që sapo kemi marrë së bashku me ministrin e mbrojtjes për të depozituar zyrtarisht kërkesën pranë agjencisë Europiane të mbrojtjes civile ku Shqipëria prej vitit të kaluar tashmë është anëtare. Shpresojmë që orët në vijim të kemi një mbështetje të forcave zjarrfikëse të vendeve fqinje, kryesisht Italise dhe Greqisë”, tha Balla nga terreni.
Kjo zonë po digjet prej 6 ditësh, ndërsa helikopteri i Forcave të Armatosura është në remont dhe po pritet ndërhyrja e BE.












