Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimet për nxjerrje të sekretit hetimor në lidhje me arrestimin e Vangjush Dakos dhe zyrtarëve të tjerë.
SPAK mbi bazën e verifikimeve të kryera kryesisht, ka filluar hetimet për kryerjen e veprës penale ”Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, të parashikuar nga neni 295/a i Kodit Penal.
Fillimi i hetimeve kryesisht për këtë vepër penale është bërë për shkak të zbulimit ndaj të tretëve të të dhënave dhe të përmbajtjes së akteve procedurale, të cilat përbëjnë ”sekret hetimor”, që lidhen me arrestimin e Vangjush Dakos.
Gazetarët e kronikës kanë bërë disa statuse në rrjetet e tyre sociale, duke nënkuptuar se prisnin ditën e arrestimit. Por po ashtu, një tjetër element i dyshimtë është fakti se në media u raportua lajmi se Dako ishte vetëdorëzuar, i shoqëruar nga avokati i tij në Policinë e Tiranës.












