Kursi i këmbimit të euros me lekun e ka nisur edhe këtë javë në rënie, duke arritur tashmë afër pragut të 99 lekëve.
Sipas kursit të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye të hënën me 99.08 lekë, duke arritur një nivel të ri minimal historik.
Euro ka qëndruar gjatë gjithë muajit shtator poshtë nivelit të 100 lekëve, me një tendencë të qëndrueshme në rënie. Në 30 ditët e fundit, kursi i këmbimit të euros ka rënë me 1.4%, ndërsa me bazë vjetore rënia ka arritur në 6.9%.
Në tregun e lirë valutor, Euro blihet me 98.8 lekë dhe dhe shitet me 99.5 lekë, kurse dollari shitet me 88.6 leke dhe blihet me 89.7 lekë.












