Mesditën e djeshme, ish-deputeti Gerti Bogdani, humbi jetën papritur pas një arresti kardiak. Kjo vdekje e beftë e tij ka bërë që figura të ndryshme publike, të shprehin mesazhe ngushëllimi teksa e kujtojnë veprën e tij, si politikan, si shok e si njeri.
Albert Gjoka, duket se ka qenë një nga personat e fundit me të cilin ish-deputeti ka shkëmbyer mesazhe. Në postimin e tij në “Facebook”, Gjoka shprehet se e kishin lënë të takoheshin, por Bogdani i kishte dërguar një mesazh ku i thoshte se e kishte të pamundur ta takonte, pasi nuk ndihej mirë.
“I dashur Gert! E kishim lënë sot në orën 11.00 të takoheshim bashkërisht, por më dërgove një mesazh në prag të orarit se “e kishe të pamundur” dhe doje që të takoheshim një ditë tjetër. Të mirëkuptova si mik prej më shumë se 20 vitesh, por nuk po u besoja syve se vetëm pak minuta më pas, pashë në ekran lajmin e hidhur të ikjes tënde… Më shkruaje në fund të mesazhit se “nuk jam mirë” dhe këto fjalë i kam si gozhdë në mendjen time edhe tani. Mbase, këto mund të kenë qenë edhe fjalët e fundit….”, shkruan Gjoka.












