Pasi u hapën 7 kilometrat e parë të zgjeruar, një tjetër segment i autostradës Tiranë-Durrës do të jetë gati për qarkullim brenda dy muajve të parë të vitit 2027.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi se punimet për 5 kilometrat e parë të zgjerimit të këtij aksi kanë përfunduar, ndërsa projekti do të vijojë edhe në vitet 2027-2028, me synimin për ta shtrirë zgjerimin pothuajse deri në Durrës, në zonën e Urës së Dajlanit.
Në një intervistë, Karakaçi bëri të ditur se aktualisht po punohet për vijimin e projektit deri mbi Qafën e Kasharit. Ai theksoi se financimi për zgjerimin e superstradës është siguruar plotësisht dhe është përfshirë në programin afatmesëm të ministrisë për periudhën 2027-2029.
“Patjetër që rreth dy muajve të parë të 2027 ajo do të jetë e hapur për qarkullim. Por ajo çfarë është e rëndësishme për buxhetin dhe programin 2027-2029, programin afatmesëm të ministrisë, është që zgjerimi i kësaj superstrade është i financuar tërësisht dhe ne vazhdojmë me 2027-2028 me zgjerimin, pothuajse shkojmë deri në Durrës, aty ku mbaron edhe projekti në Urën e Dajlanit”, u shpreh ministri.












