Kryebashkiaku Erion Veliaj ka bërë një reagim të fortë nga qelia, duke zbuluar se i ka dërguar një shkresë kreut të Grupit të PS, duke kërkuar nga Taulant Balla që të iniciojë ngritjen e një komisioni hetimor, për ato që ai i quan kërcënime të Edi Ramës.
“Sot i jam drejtuar zyrtarisht Kryetarit të Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, me kërkesën për inicimin e ngritjes së një komisioni hetimor parlamentar mbi ndërhyrjet dhe kërcënimet që kam deklaruar se janë ushtruar ndaj meje nga Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet Ministrit të Drejtësisë”, shkruan ai.
Ndërkohë, më herët Taulant Balla u pyet nga gazetarët për deklaratat e Erion Veliaj dhe tha se kryebashkiaku i Tiranës duhet ta bëjë i vetëm përballjen me drejtësinë, duke mos përfshirë Partinë Socialiste ku në fakt është ndër eksponentët më të rëndësishëm dhe drejtues politik i Tiranës.
“Kam kërkuar të hetohet nëse transferimi im nga Durrësi në Fier dhe kushtet e paraburgimit janë përdorur si instrumente presioni për të më detyruar të pranoj organizimin e protestave në Tiranë dhe të jap dorëheqjen nga mandati që më kanë besuar qytetarët e kryeqytetit”, vijon Erion Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës shprehet i gatshëm të dëshmojë nën betim përpara Kuvendit, sipas ligjit, të ballafaqohet me Ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, dhe të paraqes çdo provë që disponon.












