Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla është shprehur këtë të mërkurë se kryebashkiaku Erion Veliaj duhet ta bëjë i vetëm përballjen me drejtësinë dhe nuk mund të përfshijë forcën politike ku aderon.
I pyetur nga gazetarët nëse PS-ja do të pranojë kërkesën e Erion Veliajt për t’i lejuar atij pjesëmarrje në Asamblenë e 14 Nëntorit, Taulant Balla u shpreh: Kjo është një pyetje që i duhet bërë Sekretarit të Përgjithshëm.
“Unë mendoj dhe e kam thënë shpesh që çështjet e çdo përfaqësuesi të zgjedhur të PS, janë individuale. As PS, as Asambleja, as Kryesia nuk janë mburoja e askujt në përballjen me drejtësinë. Erion Veliaj e kam mik, por në përballjen me drejtësinë, betejën duhet ta bëjë vetë, pa përfshirë grushtin e Partisë Socialiste”, u shpreh kreu i Grupit të PS, Taulant Balla.
Dje, kryebashkiaku i Tiranës i drejtoi një shkresë urgjente nga qelia, SPAK dhe Sekretarit të Përgjithshëm të PS, Blendi Klosi, që t’i lejonin pjesëmarrjen në punimet e Asamblesë Kombëtare sepse është drejtues politik i Tiranës dhe përfaqësues i rëndësishëm i PS.












